Secondary Adv

BSH paralajmëron implikime serioze prej luftës: Rritje çmimesh dhe ngadalësim ekonomik

Tensionet në Lindjen e Mesme mund të sjellin rritje çmimesh dhe goditje për ekonominë shqiptare.

Rreziku nga përshkallëzimi i konfliktit

Banka e Shqipërisë paralajmëron se përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme mund të ketë pasoja serioze për ekonominë shqiptare. Sipas Drejtorit të Politikës Monetare, Erald Themeli, zhvillimet e muajit mars kanë qenë shumë dinamike dhe kanë krijuar një realitet të ri në tregjet ndërkombëtare, me ndikime të drejtpërdrejta edhe për vendin. Ai theksoi se nëse tensionet zgjasin në kohë, ekonomia shqiptare do të përballet me pasoja negative, të ngjashme me efektet e konfliktit në Ukrainë.

 

Rritje çmimesh dhe presion mbi ekonominë

Sipas Bankës së Shqipërisë, ndikimet kryesore do të vijnë në formën e një goditjeje të ofertës, e cila pritet të rrisë çmimet dhe të ushtrojë presion mbi ritmin e rritjes ekonomike gjatë vitit 2026. Rritja e çmimeve të energjisë, veçanërisht naftës, mbetet faktori më i dukshëm i këtij presioni.

 

Pasiguri e lartë për vendimmarrjen

Banka e Shqipërisë shpjegon se pasiguria në tregjet ndërkombëtare është aktualisht shumë e lartë, duke e bërë të vështirë ndërtimin e projeksioneve të besueshme për ekonominë. Për këtë arsye, në mbledhjen e 25 marsit nuk u ndërmor ndryshim në normën bazë të interesit.

 

Sipas autoriteteve monetare, vendimmarrja e ardhshme, veçanërisht ajo e muajit maj, do të varet drejtpërdrejt nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe ndikimi konkret i luftës në ekonominë vendase.

 

Varësia nga importet e karburantit

Ekonomia shqiptare mbetet e ndjeshme ndaj luhatjeve globale për shkak të varësisë së lartë nga importet e karburantit. Vetëm gjatë vitit të kaluar u importuan rreth 740 mijë tonë karburant me një vlerë prej 667 milionë eurosh, çka bën që çdo ndryshim në tregjet ndërkombëtare të reflektohet menjëherë në çmimet vendase.

 

Roli i Bordit të Transparencës

Për shkak të rritjes së çmimeve, vendi është futur në regjimin e Bordit të Transparencës, i cili përcakton çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë për karburantet, me synim stabilizimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat